BEÇIQ: ME LIGJET E REJA PËR DREJTIMIN E AUTOMJETEVE DHE ARMËT DUAM TË MBROJMË FËMIJËT DHE TË RINJTË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Sigurinë, Mbrojtjen, Luftën kundër Krimit dhe Politikën e Brendshme, Alleksa Beçiq, deklaroi se ligjet e reja për armët, sigurinë në komunikacion dhe përdorimin civil të eksplozivëve kanë për qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Sipas tij, me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi, mosha minimale për posedimin e lejes së armës rritet nga 18 në 21 vjeç, ashpërsohen rregullat për ruajtjen dhe kontrollin e armëve, ndalohet shitja dhe përdorimi i fishekzjarrëve të vegjël (petardave), si dhe ndalohet përdorimi i trotinetëve elektrikë nga personat nën 16 vjeç.

Ligji parashikon edhe krijimin e kategorisë së shoferëve të rinj, nga 18 deri në 21 vjeç, të cilëve u ndalohet drejtimi i automjeteve me fuqi motori mbi 80 kW, përveç rasteve kur në automjet ndodhet një person me patentë shoferi të vlefshme prej të paktën pesë vitesh.

Gjithashtu, shoferëve të rinj u ndalohet drejtimi i automjeteve nga mesnata deri në orën 05:00.

Beçiq theksoi se këto masa synojnë të ruajnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke shtuar se, edhe nëse të rinjtë nuk i kuptojnë menjëherë këto kufizime, një ditë do të jenë mirënjohës për to.

SHARE