LULGJURAJ: TË RINJTË MË SË SHUMTI I SHQETËSON PAPUNËSIA DHE PAVARËSIA EKONOMIKE

Para disa ditësh në Qendrën Universitare Sportive dhe Kulturore në Podgoricë është mbajtur diskutimi qendror publik lidhur me Draft Strategjinë për Rininë për periudhën 2023-2027.

Në diskutim morën pjesë ministri i Sportit dhe Rinisë Vasilije Llallosheviq, drejtori i Drejtorisë për Rini Martin Lulgjuraj, anëtarë të grupit punues, sektorit civil, përfaqësues të UNDP-së dhe të vetëqeverisjes lokale.

Siç njofton Ministria e Sportit dhe Rinisë, Llallosheviq përkujtoi se Strategjia e mëparshme për Rininë (2017-2021) ishte një dokument i rëndësishëm, por objektivisht i vjetëruar, dhe se Strategjia e re për të rinjtë për periudhen 2023-2027 bashkë me Planin veprues 2023-2024 ofron mundësi shumë më të mira për përmirësimin e pozitës së të rinjve.

Ai theksoi se është një dokument që, duke përmbushur katër synimet themelore, në periudhën e ardhshme duhet të përmirësojë institucionalisht pozitën e të rinjve, bashkëpunimin ndërinstitucional, të përfshijë të rinjtë në krijimin dhe zbatimin e politikave publike dhe t’i ndihmojë ata në kalimin në moshën madhore.

Lulgjuraj prezantoi Draft Strategjinë për të pranishmit, duke kujtuar ndër të tjera se sipas regjistrimit të fundit në Mal të Zi janë 141 mijë të rinj të moshës 15 deri në 30 vjeç.

“Ky numër është vazhdimisht në rënie dhe se sipas hulumtimeve të mëparshme, rreth 40 për qind e të rinjve duan të shkojnë jashtë vendit tonë”, tha ai.

Është ngushëlluese, siç tha ai, që shumica e tyre kthehen pas shkollimit të mëtejshëm jashtë vendit.

Të rinjtë, siç shtoi Lulgjuraj, më së shumti i shqetëson papunësia dhe pavarësia ekonomike dhe besojnë se të drejtat dhe liritë e tyre nuk respektohen sa duhet.

SHARE