SPAJIQ: NE MARRIM VENDIME NË MËNYRË TË PAVARUR, DUKE RESPEKTUAR TË KALUARËN DHE DUKE U PËRBALLUR ME TË ARDHMEN

Ne i marrim të gjitha vendimet, duke përfshirë ato për Srebrenicën, Jasenovac, Mathausen dhe Dahau, si një vend i pavarur që vendos në parim dhe do të vendosë për tema të tilla nga e kaluara, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq në rrjetin social X.

Spajiq deklaroi se në Kotorr, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ai i ka përcjellë Presidentit të Serbisë se Mali i Zi do të jetë parimor në dënimin e çdo krimi dhe se të gjitha rezolutat, të cilat fokusohen në respektimin e viktimave dhe jo në dënimet, rrethanat historike, gjeopolitika etj. do të mbështeten, ndërsa temat e tjera, siç tha ai, duhet t’u lihen historianëve që të hetojnë në mënyrë objektive rrethanat.

“Marrëdhëniet dypalëshe me të gjithë fqinjët janë shumë të rëndësishme për ne dhe është e rëndësishme që të gjitha çështjet potencialisht të hapura të zgjidhen deri në fund – partnerët do t’ju respektojnë më shumë nëse jeni të parashikueshëm dhe nëse ata e dinë se ju do t’i përmbaheni të njëjtit standard për gjithçka. Mali i Zi është një nga vendet e rralla me një qëndrim parimor dhe nuk do të devijojë prej tij,“ tha kryeministri.

Spajiq shtoi se, megjithatë, „rezolutat dhe e kaluara nuk janë fokusi ynë dhe duhet të lihen nën hijen e përparimit të vendit tonë“ në aspektin e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe integrimit evropian, dhe theksoi se “në vend që të zbukurojmë të shkuarën – të merremi me një të ardhme më të bukur”!

SHARE