BE-ja KA MIRATUAR ZYRTARISHT PAKON E GJASHTË TË SANKSIONEVE KUNDËR RUSISË

Bashkimi Evropian, të premten, më 3 qershor, miratoi edhe zyrtarisht embargon ndaj naftës ruse, si dhe sanksionet tjera kundër bankave dhe transmetuesve të mëdhenj, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Pakoja e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë është miratuar nga Këshilli i BE-së dhe ajo parashikon ndalimin e importit të naftës ruse që dërgohet me anije, me përjashtim të vendeve që nuk kanë dalje në det, raporton DPA. Brukseli njofton se nafta e papërpunuar ruse do të pezullohet për një periudhë prej gjashtë muajsh, ndërkaq produktet e tjera të naftës së rafinuar, për tetë muaj. Një përjashtim i përkohshëm është parashikuar për vendet pa dalje në det, si Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, të cilat thuhet se “vuajnë nga një varësi specifike nga furnizimet ruse dhe nuk kanë alternativa të mundshme”, raportoi AFP. Bullgaria dhe Kroacia, gjithashtu do të kenë “përjashtim të përkohshëm’ nga lloje të caktuara të naftës. Udhëheqësit e BE-së thonë se kjo masë nënkupton se rreth 90 për qind e eksporteve të naftës të Rusisë në Evropë do të bllokohen deri në fund të vitit. BE importon rreth 25 për qind të naftës së saj nga Rusia.

SHARE