ASHPËRSOHET BETEJA PËR QYTETIN, SULMET VALË-VALË

Ukrainian service members ride a self-propelled howitzer, as Russia's attack on Ukraine continues, near the frontline city of Bakhmut, Ukraine February 27, 2023. REUTERS/Yevhen Titov

Luftime të ashpra u zhvilluan në qytetin e Bahmutit, tha ushtria ukrainase më 3 mars, ndërsa forcat e Ukrainës zbrapsën valët e shumta të sulmeve ruse në rajonin lindor të Donjeckut.

Përveç Bahmutit, i cili ka qenë epiqendra e luftimeve në lindje të vendit për muaj të tërë, ushtria ukrainase zbrapsi të paktën 85 sulme nga forcat ruse në drejtim të qyteteve Liman, Avdijivka dhe Shakhtarsk në këtë rajon, si dhe në rajonin verilindor të Harkivit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Pas humbjes së një pjese të territorit në pjesën e dytë të vitit të kaluar, Moska nisi një ofensivë të re në rajonin e Donbasit të Ukrainës, duke kërkuar të shtyjë forcat ukrainase në disa pika.

Në Bahmut, Rusia vazhdon përpjekjen e saj për ta rrethuar qytetin dhe për t’i ndërprerë linjat e furnizimit të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas sinjalizuan se trupat e tyre mund të tërhiqen tërësisht nga ky qytet dhe të fokusohen në pozicione të reja në perëndim dhe veriperëndim, prej ku raportohet se Ukraina ka pozicione shumë më të forta mbrojtëse.

Volodymyr Nazarenko, një komandant i Gardës Kombëtare të Ukrainës, i tha radios ukrainase se situata në Bahmut ishte “kritike”.

“Çdo metër tokë ukrainase po i kushton armikut qindra jetë njerëzish”, tha Nazarenko.

Ekspertët perëndimorë kanë vënë në pikëpyetje ofensivën ruse për qytetin e Bahmutit, duke thënë se vlera për të është më tepër simbolike për Rusinë, sesa strategjike.

Forcat ruse vazhduan të bombardojnë infrastrukturën civile gjatë natës, tha ushtria ukrainase, duke plagosur civilë dhe duke shkaktuar dëme.

Sulme me raketa ka patur edhe në Zaporizhia e Herson.

Ukraina ndërkohë i ka thënë disa banorëve të largohen nga Kupiansku, ndërsa Rusia kërkon të rimarrë qytetin nga ku u dëbua vitin e shkuar.

Komanda ushtarake e Harkivit i kërkoi familjeve të personave me aftësi të kufizuara lëvizjeje, të largohen nga qyteti për shkak të sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse.

SHARE