BE-ja KËRKON ÇMIM TAVAN PREJ 60 DOLLARË PËR NAFTËN RUSE

Bashkimi Europian po bën një tjetër përpjekje për të arritur dakordësinë mes vendeve anëtare për vendosjen e një kufiri për çmimin e blerjes së gazit rus. Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se në zyrat e Komisionit Europian qarkullon një dokument, ku propozohen çmime të ulëta tavan për blerjen e naftës ruse. Bashkimi Evropian ka kërkuar një çmim tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse. Masa ka për qëllim të vazhdojë rrjedhjen e naftës së Rusisë në tregjet globale, dhe njëkohësisht të kufizojë aftësinë e presidentit Vladimir Putin për të financuar luftën e tij në Ukrainë. Kjo vjen pasi embargoja ndaj naftës së papërpunuar ruse dhe një ndalim për sigurimin e transportit për këto furnizime hyjnë në fuqi në datën 5 Dhjetor. Shifra prej 60 Dollarësh është një kufi afër çmimit aktual të naftës së papërpunuar të Rusisë, i cili ra këtë javë në nën 60 Dollarë për fuçi dhe ka për qëllim të parandalojë një reduktim të mëtejshëm të naftës ruse në tregun botëror pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të reja perëndimore. Kjo është një rënie e madhe duke marrë parasysh se nafta e papërpunuar tregtohej me një çmim prej 87 dollarësh për fuçi, por mund të jetë i pranueshëm për Moskën, pavarësisht se ajo e kundërshton idenë e vendosjes së një kufiri të tillë. Nafta e ka mbajtur ekonominë ruse në këmbë deri më tani, pavarësisht ndalimit të eksporteve, sanksioneve dhe ngrirjes së aseteve të bankës qendrore ruse. Rreziqet e dështimit të vendosjes së kufirit të çmimit janë të mëdha dhe mund të dëmtojnë furnizimin e botës me naftë. Nëse dështon, Rusia mund të hakmerret duke ndaluar eksportin e naftës dhe çmimet e energjisë në mbarë botën mund të rriten në mënyrë drastike.

SHARE