ZJARRET NË GREQI, SHQIPËRIA NDIHMON SHTETIN FQINJ ME 30 ZJARRFIKËS DHE 5 AUTOMJETE

Shqipëria i është përgjigjur mënjëherë kërkesës së Greqisë për ndihmë në shuarjen e zjarreve në rajonin e Peloponezit. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në operacionet e shuarjes së zjarreve që vijojnë prej katër ditësh do të angazhohen 30 zjarrfikës dhe 5 automjete zjarrfikëse.

Efektivët zjarrfikës nga Shqipëria do të angazhohen në bazë të nevojave të paraqitura nga vendi fqinj dhe do të qëndrojnë aty deri në stabilizimin e situatës. Nga zjarri që shpërtheu mesditën e së dielës në një zonë pyjore në Korintin Perëndimor kanë humbur jetën dy burra të moshës 35 dhe 40 vjeç.

Situata është cilësuar si e vështirë dhe në terren po operojnë mbi 500 zjarrfikës me 160 automjete si dhe 28 grupe alpinistësh. Të dhënat paraprake tregojnë se janë prekur rreth 40-50 mijë hektarë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Shqipëria si anëtare e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile është përherë e gatshme të ndihmojë aleatët dhe partnerët e saj në raste e fatkeqësive natyrore.

SHARE