SHQIPËRI, STUDENTËT E MJEKËSISË PROTESTË KUNDËR PUNËSIMIT TË DETYRUESHËM

Studentët e degës së mjekësisë kanë protestuar në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik në Shqipëri, kundër punësimit të tyre të detyrueshëm, si kusht i marrjes së diplomës.

Dhjetëra studentë të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë kanë protestuar pranë ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe dekanatit të fakultetit, duke kundërshtuar ligjin që përcakton mënyrat e punësimit të tyre pas diplomimit.

Me pankartat me mbishkrimet “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”, “Mjekësia bojkoton-anulo ligjin”, “Ikëm se menduam që nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi vetë”, studentët kanë protestuar kundër ligjit që përcakton mënyrat e punësimit të tyre pas diplomimit.

Ndërkohë, një grup i studentëve protestues kanë paralajmëruar edhe bojkot të procesit mësimor dhe vazhdimin e protestave.

Një grup i studentëve të mjekësisë kanë organizuar edhe më parë protesta kundër punësimit të tyre të detyrueshëm, ndërkohë nga ana tjetër një grup i studenteve të mjekësisë janë pro ligjit në fjalë.

SHARE