Për të 94-tën ditë radhazi, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan protestë në Tiranë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, duke kërkuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Ndryshe nga netët e tjera, kur qytetarët marshonin drejt godinës së Kryeministrisë dhe qëndronin përpara saj, këtë herë ata janë vendosur në një prej hyrjeve anësore, pranë Piramidës, duke penguar kalimin.
Forcat e Policisë së Shtetit ndodhen rreth godinës së Kryeministrisë, në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimin e hyrjeve.
Një pjesë e protestuesve ndodhet përpara godinës së Kryeministrisë si zakonisht, ndërsa pjesa tjetër është pozicionuar pranë një prej hyrjeve të pasme të saj.
Protestuesit po tentojnë të hyjnë drejt Kryeministrisë duke krijuar momente tensioni, por janë ndaluar nga forcat e Policisë, të cilat kanë krijuar një kordon e barriera për të penguar afrimin e tyre.
Në këto momente, forcat e rendit nuk po lejojnë kalimin e protestuesve drejt godinës, ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar.
Qytetarët vijojnë të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.









