SPAJIQ: NISIN ZGJERIMET NË AEROPORTET E PODGORICËS DHE TIVATIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka njoftuar nisjen e përgatitjeve për zgjerimin dhe modernizimin e aeroporteve të Podgoricës dhe Tivatit, me synim përballimin e rritjes së numrit të udhëtarëve në sezonet e ardhshme.

Sipas tij, vitin e ardhshëm pritet të zgjerohet kapaciteti i terminaleve, të shtohen portat e hipjes dhe të zgjatet pista. Paralelisht, Qeveria do të nisë hartimin e një Masterplani për zhvillimin afatgjatë të aeroporteve, i cili do të përcaktojë investimet për dhjetë vitet e ardhshme.

Në aeroportin e Podgoricës parashikohen ndërtimi i një terminali të ri, zgjerimi i platformës dhe zgjatja e pistës, me qëllim që aeroporti të mund të presë edhe avionë të mëdhenj me trup të gjerë dhe fluturime direkte ndërkontinentale.

Ndërsa në aeroportin e Tivatit planifikohen terminal i ri, platformë dhe pistë të reja lidhëse, si dhe rikonstruksion i plotë i pistës.

Qeveria ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një trupi ndërresorial koordinues, të drejtuar nga Spajiq, për përshpejtimin e projekteve dhe eliminimin e pengesave administrative, financiare dhe pronësore.

Spajiq deklaroi se viti 2026 ka vendosur një standard të ri, ndërsa 2027-ta pritet ta tejkalojë atë, duke iu referuar rezultateve dhe rritjes së numrit të udhëtarëve.

SHARE