Foto: Ilustrim
Ekonomia e Malit të Zi u rrit me 3.8% në tremujorin e dytë të vitit, duke shënuar një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Rritja ishte dukshëm më e lartë se në tremujorin e parë, kur ekonomia u zgjerua me 2.6%.
Në gjysmën e parë të vitit, vendi u vizitua nga rreth 994 mijë turistë, 5.7% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i netqëndrimeve arriti në 5.14 milionë, me rritje prej 6.5%.
Numri i udhëtarëve në aeroportet e Malit të Zi u rrit me 15.4%, në 1.38 milionë, ndërsa aktiviteti ndërtimor shënoi rritje prej 5.7%.
Papunësia e regjistruar në qershor zbriti në 7.62%, niveli më i ulët që nga fillimi i regjistrimit të kësaj statistike.
Të ardhurat e buxhetit në gjashtë muajt e parë arritën në 1.44 miliardë euro, ndërsa deficiti buxhetor ishte 114.2 milionë euro, ose 1.3% e PBB-së.
Ministria e Financave vlerëson se treguesit ekonomikë, turizmi, punësimi dhe të ardhurat buxhetore dëshmojnë për një vazhdim të tendencave pozitive në ekonominë malazeze.










