MARTA KOS MBËSHTET HEQJEN E VETOS NË BE

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur mbështetje për iniciativën e 11 shteteve anëtare të BE-së për kalimin në votimin me shumicë të cilësuar dhe heqjen e së drejtës së vetos në vendimmarrje.

Duke folur në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë, Kos tha se një ndryshim i tillë do ta bënte Bashkimin Evropian më efektiv dhe do të mundësonte përparimin e procesit të zgjerimit.

Ajo theksoi se Mali i Zi dhe Shqipëria po përparojnë në procesin e integrimit dhe se BE-ja duhet të përgatitet për një zgjerim të ardhshëm me 28, 29 apo 30 vende anëtare.

“Kalimi në votimin me shumicë të cilësuar është shumë i rëndësishëm për mua si Komisionere për Zgjerimin, pasi mund të krijojë mundësi që të zgjerohemi gjatë mandatit të Komisionit aktual”, deklaroi Kos.

Ajo paralajmëroi gjithashtu ndryshime që synojnë thjeshtimin e procesit të zgjerimit dhe konkretizimin e përfitimeve nga integrimi gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për Ukrainën dhe Moldavinë.

SHARE