Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi disa takime në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, ku në fokus ishin dialogu Kosovë–Serbi, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në hapësirën evropiane.
Hoxha u takua me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Prishtinë–Beograd, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi nevojën për një dialog të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete, me synim përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli, bisedimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit euro-mesdhetar dhe zhvillimi i projekteve konkrete në interes të rajonit.
Ndërsa me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits,
Hoxha diskutoi për infrastrukturën, transportin dhe mobilitetin, si faktorë të rëndësishëm për afrimin e Ballkanit Perëndimor me tregun dhe hapësirën evropiane. “Dialogu, ndërlidhja dhe bashkëpunimi janë tre shtylla të një rajoni më të qëndrueshëm, më të integruar dhe më evropian”, deklaroi Hoxha.









