Ftesa për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në mesin e tetorit në Malin e Zi, i dërgua ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), dhe u përdor terminologjia e pranuar nga pjesëmarrësit. Më herët të enjten, Radio AntenaM nga Mali i Zi publikoi një faksimil që tregonte se si ministrja e Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi, Tamara Sërzentiq, ftonte ministren Rizvanolli që të merrte pjesë në Samitin Digjital, por në ftesë, emri i Kosovës ishte shënuar së bashku me fusnotë. “I gjithë organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, tha Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi. Nga kjo ministri thanë se Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie kuptimplote dhe cilësore, bazuar në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe kanë një perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike. “Ne jemi të bindur se në periudhën e ardhshme, ato (raportet Mali i Zi-Kosovë) do të përmirësohen edhe më tej në bazë të besimit dhe respektit reciprok”, thanë nga kjo ministri. Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.