Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Mlilojko Spajiq, në seancën kushtuar “Orës së Kryeministrit” në Parlament deklaroi se faktorë të jashtëm dhe grupe të organizuara kriminale po veprojnë së bashku kundër rrugës evropiane të vendit.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian po i jep mbështetje të plotë Malit të Zi në luftën kundër këtyre ndikimeve.
Spajiq tha se sezoni turistik këtë vit pritet të jetë më i përgatituri deri më tani, duke përmendur rritjen e numrit të udhëtarëve, hapjen e linjave të reja ajrore dhe përmirësimin e lidhjeve me tregjet evropiane. Ai shtoi se janë bërë investime në infrastrukturë dhe promovim ndërkombëtar të vendit.
Në debatet për ekonominë dhe pensionet, kryeministri hodhi poshtë kritikat e opozitës për rënien e standardit të jetesës, duke thënë se pensionet janë rritur dhe situata fiskale është më e qëndrueshme se më parë. Ai theksoi gjithashtu uljen e borxhit publik krahasuar me vitet e kaluara.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua edhe te integrimet evropiane, ku Spajiq akuzoi opozitën se me mosveprimet e saj po pengon reformat dhe po rrezikon fondet dhe procesin e anëtarësimit në BE.
Në seancë u diskutuan gjithashtu çështje si koncesioni i aeroporteve, sistemi pensional, stabiliteti ekonomik, ndarjet politike dhe marrëdhëniet e shtetit me diasporën. Kryeministri theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj reformave, investimeve dhe rrugës evropiane të vendit.










