Foto: Shutterstock
Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të objekteve të ndërtuara pa leje, të cilët ende nuk kanë paraqitur kërkesë për regjistrim në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, që ta bëjnë këtë më së voni deri më 14 gusht të këtij viti.
Nga ministria theksojnë se regjistrimi i objektit në kadastër është një nga kushtet kryesore për vazhdimin e procesit të legalizimit dhe për realizimin e të drejtave të pronësisë mbi objektin.
Sipas njoftimit, pronarët që nuk paraqesin kërkesën brenda afatit ligjor do të përballen me pasoja ligjore, pasi inspektori për mbrojtjen e hapësirës është i detyruar të nxjerrë vendim për prishjen e objekteve për të cilat nuk është nisur procedura e regjistrimit.
Ministria nënvizon se të gjithë pronarëve që hyjnë në procesin e legalizimit u garantohet siguri e plotë juridike pas marrjes së vendimit për legalizim.
Pas legalizimit, objektet mund të shiten, të trashëgohen dhe të përdoren për veprimtari ekonomike apo qëllime të tjera, duke u mundësuar pronarëve disponim të plotë dhe mbrojtje ligjore të pronës së tyre.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të ndërmarrin me kohë hapat e nevojshëm për të shmangur pasoja shtesë ligjore dhe financiare.










