Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes rrjetit social “Facebook”, bëri të ditur se në stadiumin e Deçiqit së shpejti do të ndërtohet ndriçimi me vlerë prej 600,000 EURO.
Siç bën të ditur Gjeloshaj, tashmë është bërë edhe përzgjedhja e kompanisë, dhe theksoi se punimet do të zgjasin 45 ditë.
Gjeloshaj shprehet i kënaqur sepse së shpejti në stadiumin “Deçiq” do të jetë mundësia të shikohen ndeshjet gjatë mbrëmjes me standardet e kërkuara.
“Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan, e në veçanti Federatën e Futbollit të MZ, në krye me Dejan Saviqeviq, i cili mbështeti fuqishëm këtë projekt,” tha Gjeloshaj.
“Duhet rikujtuar që Komuna e Tuzit i ka përfunduar të gjitha planifikimet administrative në afat të paraparë. Edhe ky projekt, si dhe shumë që pasojë, në çdo fushë dhe në çdo zonë të Malësisë, dëshmojnë seriozitetin e pushtetit që angazhohet dhe ka kapacitet, bashkë me partner për të zhvilluar Malësinë. Malësia po ndryshon!” , thuhet në njoftimin e Kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Të rikujtojmë se pas gati tre muajsh, nesër në Malësi rikthehet futbolli, me ndeshjet e raundit të 23-të, të Ligës së Dytë të Malit të Zi.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e Deçiqit, mes dy skuadrave që luftojnë për vendin e parë, Deçiq dhe Bokel.
Siç u njoftua nga Federata e Futbollit të Malit të Zi, në të ardhmen ndeshjet do të luhen në prani të një numri të kufizuar të spektatorëve.