MARTINOVIQ: MË SHUMË SE GJASHTË MILIONË PËR PROJEKTET NË BERANE, SHAVNIK…

Ministria e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut ka mbështetur projektet e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të zeza për komunat Berane, Shavnik, Guci dhe Plluzhine në një shumë totale prej mbi gjashtë milionë euro, njoftoi ministri përgjegjës Vlladimir Martinoviq.

Siç thuhet në njoftim, këto komuna kanë dorëzuar në Ministrinë e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut kërkesa për mbështetje investuese për buxhetin kapital të këtij viti.

Në kuadër të këtyre projekteve janë mbështetur dy projekte në turizmin rural.

“Mbi gjashtë milionë euro mbështetje iu dha komunave në veri të Malit të Zi në fushën e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të zeza. Kjo sasi e konsiderueshme jo vetëm që përmirëson infrastrukturën e furnizimit me ujë, por kontribuon edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale”, tha ministri Martinoviq.

Ai theksoi se zhvillimi i fshatrave është vendimtar për mbështetjen e turizmit rural dhe bujqësisë, por edhe për krijimin e kushteve që do të mundësojnë kthimin e popullatës në fshat.

“Është e rëndësishme të sigurohet që kushtet e jetesës në fshat të mos mbeten prapa atyre në zonat urbane”, tha Martinoviq.

Sipas tij, investimi në zhvillimin e pjesës veriore të vendit përmes turizmit, bujqësisë dhe zgjidhjes së problemeve demografike, si dhe mbrojtjes së mjedisit, paraqet një qasje gjithëpërfshirëse që mund të ndikojë pozitivisht në të gjitha këto aspekte.

“Kjo qasje e integruar krijon sinergji ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit”, përfundoi Martinoviq.

SHARE