STATUTI I ASOCIACIONIT, PRESIDENTJA OSMANI: KOSOVA DUHET TA KETË DRAFTIN E SAJ

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Kosova duhet ta ketë draftin e saj për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se nuk mund të lejojnë një draft nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një deklaratë e tillë e presidentes Osmani vjen në ditën kur në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E para e shtetit pas akademisë përkujtimore për masakrën e Studimes së Vushtrrisë ka folur edhe për çështjen e personave të zhdukur me dhunë në luftën e fundit.

Ajo theksoi se Kosova është në Bruksel për të mbrojtur interesin e saj e asnjëherë për ta vënë në pazar.

“Natyrisht se kemi shumë dyshime se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë se pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët e cila nëse nuk bllokohet nga ana e serbëve do të përfundojë sot dhe që partnerët tanë ndërkombëtarët të sigurohen se çdo premtim të zbatohet…”, tha ajo.

E para e shtetit bëri të ditur se i ashtuquajturi ekip menaxhues do të prezantojë një draft sot në Bruksel.

“Pritjet e mia si presidente e republikës është se Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajture ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet bazë e negociatave”, tha ajo.

Presidentja shtoi se Kosova të ketë draftin e saj në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të ShBA-së, dhe siguron që nuk preket territorialiteti, integriteti i shtetit e funksionaliteti i shtetit të Kosovës.

SHARE