MYSLIMANËT NË RAJON FALIN NAMAZIN E FITËR BAJRAMIT

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit. Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, në një nga festat më të mëdha të fesë Islame. Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha të Shkupit, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë. Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazin u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Ndërkohë, edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Programi qendror është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve. Pjesë e ceremonisë qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kur’anit, ligjërata dhe Hutbeja. Namazi i Fitër Bajramit është falur edhe në xhamitë në të gjithë Shqipërinë, duke u mbledhur së bashku besimtarët, pasi tashmë janë hequr edhe masat kundër pandemisë. Edhe besimtarët muslimanë në gjithë Kosovën kanë filluar kremtimin e festës së Fitër Bajramit, me faljen e namazit nëpër xhamitë e vendit. Qindra besimtarë u mblodhën në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, për faljen e namazit të sabahut dhe më pas edhe atij të Fitër Bajramit.

SHARE