BULLGARIA DHE RUMANIA I BASHKOHEN ZONËS SHENGEN

Bullgaria dhe Rumania i janë bashkuar zonës së udhëtimit pa viza të BE-së, e njohur si zona Shengen, raporton Anadolu.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, njoftoi se që nga sot Bullgaria dhe Rumania i janë bashkuar Shengenit, me heqjen e kontrolleve kufitare ajrore dhe detare.

“Ky është një sukses i madh për njerëzit e të dy vendeve. Kjo gjithashtu sjell përfitime për miliona qytetarë të BE-së në të gjithë Evropën”, shkroi Leyen në X.

Ylva Johansson, komisionerja e BE-së për punët e brendshme, tha se hapi tjetër do të jetë heqja e kontrolleve në kufijtë tokësorë të vendeve, të cilat do të diskutohen mes vendeve anëtare gjatë këtij viti.

Në një deklaratë, Komisioni Evropian gjithashtu përshëndeti vendimin, duke theksuar: “Aderimi në Shengen i këtyre dy vendeve anëtare do ta bëjë zonën e përbashkët më tërheqëse duke zgjeruar ndjeshëm zonën më të madhe të përbashkët në botë pa kontrolle të brendshme kufitare”.

Rumania dhe Bullgaria iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2007.

Në vitin 2011, komisioni verifikoi përmes raporteve të Vlerësimit të Shengenit se të dy vendet kishin përmbushur të gjitha kriteret për integrim të plotë në zonën Shengen.

25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së janë tani anëtarë të zonës Shengen, së bashku me katër anëtarë jo të BE-së: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Qiproja greke dhe Irlanda janë të vetmet anëtarë të BE-së jashtë zonës Shengen.

SHARE