INSTITUTI: BRENDA 24 ORËVE TË FUNDIT REGJISTROHEN 14 VIKTIMA

Në 24 orët e fundit në Mal të Zi nga pasojat e koronavirusit kanë humbur jetën 14 persona dhe janë regjistruar 617 raste të reja të infektimit, njofton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Kështu, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga infeksioni COVID-19 në Mal të Zi është rritur në 2,582 që nga fillimi i pandemisë. “Gjatë ditës së djeshme në ISHP janë raportuar 14 vdekje nga infeksioni SARS-CoV-2 nga këto komuna: Podgorica (5), Tivari (2), Plevla (2), Nikshiqi (1), Cetija (1), Andrijevica (1), Tivati (1) dhe Berane (1),” thuhet në njoftimin e Institutit. Instituti vëren se të gjithë pacientët e vdekur ishin të pavaksinuar ose nuk ishin vaksinuar siç duhet, domethënë kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga doza e dytë. “Prandaj, edhe një herë apelojmë tek qytetarët që të vaksinohen nëse nuk e kanë bërë ende, ose nëse kanë kaluar tre deri në pesë muaj nga doza e fundit, merrni dozën tuaj përforcuese. Vetëm me imunizimin e plotë mund të ulim numrin e vdekjeve në vendin tonë”, theksuan nga ISHP. Ata gjithashtu theksojnë se deri në orën 15:00 është raportuar shërimi i 961 pacientëve. Duke marrë parasysh të gjitha rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktualisht aktive me COVID-19 në Mal të Zi është 5,481.

SHARE