ZGJEDHJET NË SERBI, KURTI: SA MË SHUMË MANDATE PËR SHQIPTARËT E LUGINËS

“Ne si qeveri i kemi mbështetur vazhdimisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe është në interesin e shqiptarëve që të fitojnë sa më shumë mandate në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi  më 17 dhjetor”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite në komunën e Gjilanit.

Si qeveri ne vazhdimisht po e rrisim buxhetin që i kushtohet shqiptarëve atje, jemi të interesuar t’i ofrojmë mbështetjen tonë.  Sa i përket zgjedhjeve, ne japim kontributin tonë, interesi është të jenë sa më shumë të përfaqësuar në kuvend. Nuk e di se si do të shkojnë zgjedhjet, Serbia nuk është vend demokratik”, theksoi Kurti.

Aleksandër Vuçiç deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, dhe fajin për këtë, ia veshi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas kreut të shtetit serb, nuk dëshiron t’i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”.

“Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi t’i bëjë presion Kurtit dhe do të dalë me një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçic në Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve për ndryshimet klimatike, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

Presidenti serb ka shtuar se  “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”. “Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Europë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të fitojmë asgjë nga ai reagim”, u shpreh ai.

SHARE