KURTI KËRKON MBËSHTETJEN E BE-së PËR AVANCIMIN E KOSOVËS DREJT ANËTARËSIMIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi mbështetjen e BE-së për dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Kurti tha se Kosova ka shënuar përparim në demokraci, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa theksoi se vendi është i harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Ai bëri të ditur se Qeveria ka miratuar 10 nga 12 ligjet e Planit të Rritjes që kishin afat në qershor dhe kërkoi që Kuvendi t’i miratojë shpejt, në mënyrë që të mos rrezikohen fondet evropiane.

Kurti kërkoi gjithashtu anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit, duke thënë se këto hapa do të lehtësonin qarkullimin e mallrave dhe qasjen e bizneseve kosovare në tregun e BE-së.

Ai kërkoi nga von der Leyen mbështetje për statusin kandidat të Kosovës dhe për përfshirjen e Komisionit Evropian në shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim.

Kurti foli edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke shprehur shqetësime për disa prej konkluzioneve dhe dënimeve dhe duke thënë se pret që, sipas tij, gabimet faktike, historike dhe juridike të korrigjohen në procedurën e apelit.

SHARE