KOS: MALI I ZI NË FAZËN PËRFUNDIMTARE TË NEGOCIATAVE ME BE-në

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha në takimin ministror të Procesit të Berlinit në Przhno se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian dhe se në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, në mesin e tetorit, pritet të mbyllen edhe disa kapituj negociues.

Ajo përgëzoi Malin e Zi për reformat e realizuara dhe theksoi se deri tani janë mbyllur përkohësisht 18 kapituj, duke kërkuar që vendi të vazhdojë me të njëjtin ritëm për përfundimin e negociatave.

Sipas Kos, përparimi i Malit të Zi ka dhënë një shtysë të re procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha se zgjerimi i BE-së është një interes strategjik, i sigurisë dhe ekonomik për Evropën, ndërsa theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita.

Kos shtoi se viti 2026 është tashmë vit rekord për hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues, pasi në nëntë muaj janë hapur ose mbyllur më shumë kapituj se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit.

SHARE