Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë pune në Gjermani, është pritur në takim nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim, presidentja Osmani tha se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj.
Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të presidentes Osmani dhe ministres Baerbock.
Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t’i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal.
Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.
Sipas presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë fuqizohen edhe më shumë nga numri i konsiderueshëm i mërgimtarëve kosovarë, të cilët janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane.