Foto: KKSH
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi (KKSH) njofton kandidatët nga trojet shqiptare se aplikimet për pranim në ciklin e parë të studimeve (Bachelor), për vitin akademik 2026/2027, në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, do të zhvillohen në periudhën 2 deri më 13 shtator 2026.
Aplikimet kryhen pranë sekretarisë së dekanit, në fakultetin që mbulon programin e studimit. Kandidati/ja paraqitet personalisht ose përmes një personi të autorizuar prej tij/saj dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
- Kopje të dokumentit të lëshuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), që vërteton njohjen e diplomës së arsimit të mesëm të lartë, të shoqëruar me kopje të listës së notave. Kandidatët që nuk e kanë përfunduar procesin e njohjes dhe njehsimit duhet të paraqesin vërtetimin e aplikimit pranë QSHA-së.
- Kopje të njehsuar me origjinalin, të noterizuar në Republikën e Shqipërisë dhe, nëse dokumenti është në gjuhë të huaj, të përkthyer në gjuhën shqipe, të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, ose diplomës/dëftesës së shkollës së mesme të fituar në vendin përkatës, së bashku me certifikatën e notave, të legalizuar nga autoritetet përkatëse të vendit ku janë kryer studimet.
- Fotokopje të dokumentit të identifikimit, kartë identiteti ose pasaportë.
- Dy fotografi personale në format dokumentesh.
- Kopje të mandatpagesës pranë Zyrave të Postës Shqiptare.
- Formularin e aplikimit, sipas formatit të Shtojcës nr. 2 të Udhëzimit nr. 12, datë 30.06.2023. Plotësimi i formularit bëhet në prani të punonjëses së sekretarisë.
- Deklaratën, sipas Shtojcës nr. 1.
Kandidatët e interesuar duhet të përgatisin dokumentacionin e kërkuar dhe të paraqiten pranë sekretarisë përkatëse të fakultetit brenda afatit të përcaktuar.
Afati i aplikimeve: 2–13 shtator 2026.










