BALLKANI PERËNDIMOR, PRIORITET I KRYESIMIT ÇEK ME BE-në

Çekia, nga 1 korriku, mori kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti. Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca. Sipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji. Një diplomat i lartë evropian tha se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe Ballkanin Perëndimor. Ky burim tha se në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë dhe se kjo vlen edhe për raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor – të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek. Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave. Komisioni Evropian ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave duhet të përmbyllet sa më shpejt. Por, disa vende anëtare, si Franca, vazhdojnë të shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Diplomatët në Bruksel thonë se Çekia, në cilësinë e kryesueses së BE-së, do të konsultohet me vendet anëtare dhe se ajo ka shprehur gatishmëri që ta çojë përpara këtë proces. Gjatë kryesimit çek pritet të përmbyllet edhe procedura e hyrjes së Kroacisë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

SHARE