OSMANI VIZITË ZYRTARE NË TURQI

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit në Ankara kanë takuar me ministrin e jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Në takim, ndër të tjera është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja theksoi se raportet me Turqinë kanë potencial të zgjerohen e thellohen edhe më tej, në veçanti duke nxitur më shumë investime në Republikën e Kosovës si dhe duke rritur eksportet e Kosovës në Turqi. Ajo më tej theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si proces nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se bashkë me aleatët, nuk do të lejojnë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe e ardhmja e sigurt e rajonit është e mundshme me anëtarësimin e Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Ankara është pritur nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa  Şentop. Në këtë takim, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan të mira dhe me avancim të vazhdueshëm. Sipas Presidentes Osmani, këto marrëdhënie janë shumëdimensionale dhe forcohen nga bashkëpunimi me Turqinë në shumë sfera, duke e llogaritur këtë vend si një partner në shumë procese. Ajo vlerësoi lart rolin që Turqia ka luajtur në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit në Kosovë. Presidentja Osmani ka kërkuar që në kuadër të diplomacisë parlamentare, Turqia të jetë zë i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në të cilat ky shtet është i përfaqësuar dhe ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata. Ndërkaq për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe se Serbia deri tani ka dëshmuar është bllokuese në këtë process, duke mos implementuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara.

SHARE