“KOSOVA NË NATO TANI”/ OSMANI: RREZIK NGA SERBIA, NUK ËSHTË NEUTRALE

“Serbia nuk është neutrale. Serbia është me Rusinë, demokracitë përfshirë Kosovën, qëndrojnë me Ukrainën. Kosova në Nato”, ka shkruar në profilin e saj në Twitter presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila e ka shpërndarë mesazhin me hashtagun KosovoinNato, i cili po shihet kudo se fundmi. Arsyeja është se thirrjet për anëtarësim, së fundi janë intensifikuar ndjeshëm. Serbia po përpiqet të tregojë se do të ruajë një pozicion neutral, por Prishtina zyrtare e ka pritur këtë deklaratë të Aleksander Vuçiçit me mjaft skepticizëm. Konflikti i armatosur në Ukrainë ka nxjerrë  dhe një herë e më shumë në pah rrezikun që i kanoset edhe Kosovës. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu kujtonte pak ditë më parë se ajo rrethohet nga tre vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka brenda kufijve të vet edhe një forcë të aleancës prej rreth 3.700 ushtarë nga 28 vende. Fakti që katër anëtarë të kësaj aleance perëndimore ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pengon anëtarësimin e saj, e madje edhe pjesëmarrjen në aktivitetet e partneritetit ushtarak. Presidentja Osmani e ka theksuar edhe përpara sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg se “qëllimi i Kosovës është të bëhet pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë dhe të kontribuojë për paqen”.

SHARE