MACRON DHE SPAJIQ DO TË TAKOHEN TË HËNËN

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në fillim të javës së ardhshme duhet të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, mëson Portali i RTMZ.

Siç mësohet, Macron dhe Spajiq pritet të takohen tashmë të hënën në Francë.

Pritet që në fokus të bisedimeve të jenë marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Francës, politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por edhe çështjet aktuale të sigurisë.

Spajiq së fundi drejtoi delegacionin malazez në Konferencën Ndërqeveritare midis Malit të Zi dhe BE-së, nga e cila u dërgua një mesazh mbështetjeje për përpjekjet e Malit të Zi për të konsoliduar rrugën e tij evropiane.

Veçanërisht u theksua rëndësia e emërimeve të fundit në gjyqësor dhe konsensusi në parlamentin malazez.

Në mesin e vitit të kaluar, Macron tha se Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen e Francës dhe se Parisi do të angazhohet për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Malin e Zi.

SHARE