ESCOBAR – IVANOVIQ: MBËSHTETJA E SHBA PËR REFORMAT DO TË PËRSHPEJTOJNË RRUGËN EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin rrugën evropiane të Malit të Zi dhe përpjekjet që po bën për t’u bërë sa më shpejt anëtar i plotë i Bashkimit Evropian, u theksua në takimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, në Uashington.

Escobar tha se SHBA, si vend mik dhe aleat i Malit të Zi, mirëpret përparimin tonë drejt anëtarësimit në BE.

“Shpresojmë që së shpejti të jemi partneri juaj në Bashkimin Evropian”, tha Escobar.

Ai përshëndeti angazhimin për anëtarësim aktiv dhe të besueshëm në NATO, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe përputhshmërinë e plotë të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ministri Ivanoviq tha se Mali i Zi do të vazhdojë të jetë partner i SHBA-ve dhe e njoftoi Escobarin për rezultatet e punës së deritanishme të Qeverisë së 44-të, veçanërisht në lidhje me riaktivizimin e procesit të negociatave me BE-në dhe reformat në kapitujt kyç 23 dhe 24.

“Në një periudhë të shkurtër kohore kemi treguar se jemi një qeveri që arrin rezultate, Mali i Zi po bën progres, janë zgjidhur çështjet që kanë rënduar funksionimin e organeve të drejtësisë në vitet e kaluara, është emëruar një kryenegociator i ri dhe ne jemi duke vazhduar me vendosmëri zbatimin e detyrimeve nga agjenda e BE-së”, theksoi ministri.

Ai e njohu bashkëbiseduesin me kandidaturën e Malit të Zi për anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2026-2027 dhe Escobar u pajtua se do të ishte shumë mirë për Malin e Zi.

Në takim u diskutua për situatën aktuale politike në rajon. U theksua rëndësia e rritjes së interesit të administratës amerikane për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, si dhe u fol për agresionin rus kundër Ukrainës dhe ndikimin e luftës në politikën e zgjerimit të BE-së, si dhe për sigurinë e kontinentit evropian.

SHARE