BRUKSELI MBËSHTET PLOTËSISHT RRUGËN TONË DREJT BE-së

Mali i Zi ka mbështetjen e plotë të partnerëve evropianë për aspiratën e vendit tonë për të qenë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian (BE), tha Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq gjatë ditës së parë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel. Ai tha se ishte një kënaqësi dhe nder për të, por edhe për të gjithë qytetarët e Malit të Zi “që në javën e dytë të qeverisë patëm mundësinë të vizitonim Brukselin dhe Këshillin Evropian, të kryesuar nga Presidenti Charles Michel”. Sipas Kryeministrit, Mishel dëshironte të kishte informacion të dorës së parë dhe t’i siguronte mbështetje të plotë Malit të Zi për aktivitetet për të cilat është angazhuar qeveria e re. “Kjo është kryesisht rruga jonë për në BE dhe aspirata që Mali i Zi të jetë anëtari i 28-të i Bashkimit. Ne kemi mbështetjen e partnerëve evropianë dhe do të përpiqemi ta bëjmë Ballkanin dhe mbi të gjitha Malin e Zi, ndryshe nga sa në sytë e publikut evropian dhe botëror,” theksoi Krivokapiq. Kjo, thotë ai, është rruga për mirëqenien e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. “Angazhimi ynë është që qytetarët ta ndiejnë atë përmes cilësisë së jetës dhe investimeve që me siguri do të vijnë, por edhe asaj që kemi lënë pas dore – sundimi i ligjit. Nëse nuk e ndryshojmë pjesën që është një barrë për ne, atëherë vështirë se mund të presim ndonjë tjetër mbështetje,” tha Krivokapiq. Kryeministri shkroi në Twitter se pati një bisedë të sinqertë dhe të këndshme në Bruksel me Përfaqësuesin Special të BE për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak. “Në takim është konstatuar se Mali i Zi, si një udhëheqës në integrimin në BE, ka një shans real për të përfunduar pjesën teknike të procesit të pranimit në BE në mandatin e kësaj Qeverie, me një angazhim ndaj reformave dhe sundimit të ligjit”, tha Krivokapiq.

SHARE