Foto: BE
Komisioni Evropian ka kritikuar Malin e Zi për përdorimin e shpeshtë të procedurave urgjente gjatë miratimit të ligjeve, duke vlerësuar se kjo praktikë dëmton proceset demokratike dhe kufizon debatin parlamentar.
Nga sektori civil dhe opozita thonë se shumë ligje janë miratuar me nxitim, pa transparencë dhe pa konsultim të mjaftueshëm me publikun.
Sipas të dhënave të Institutit Alternativa, vetëm 47 për qind e ligjeve që Qeveria i ka dërguar në Kuvend gjatë periudhës së fundit kanë kaluar në debat publik.
Kjo do të thotë se për më shumë se 50 ligje, organizatat e shoqërisë civile nuk kanë pasur mundësi të japin sugjerimet e tyre.
Deputetja e PDS-së, Zoja Bojaniq Llalloviq, ka kritikuar mënyrën e miratimit të ligjeve, duke thënë se ato janë proceduar me nxitim dhe pa transparencë të mjaftueshme.
Ajo gjithashtu ka shprehur shqetësimin për hapësirën e kufizuar për mendimin kritik dhe përfshirjen e opozitës, mediave dhe sektorit civil. Edhe nga Instituti Alternativa vlerësojnë se pjesëmarrja e organizatave joqeveritare shpesh mbetet vetëm formalitet.
Sipas tyre, vetëm gjatë tremujorit të tretë të këtij viti janë miratuar 109 ligje, aq sa gjatë gjithë vitit 2024.
Nga ana tjetër, shumica parlamentare arsyeton përdorimin e procedurave urgjente me nevojën për përmbushjen sa më të shpejtë të detyrimeve nga agjenda evropiane.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë së Re Serbe, Dejan Gjuroviq, tha se qëllimi nuk ka qenë shmangia e dialogut gjithëpërfshirës, por përshpejtimi i harmonizimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se projektligjet i janë nënshtruar konsultimeve brenda shumicës parlamentare dhe komisioneve përkatëse, duke shtuar se Kuvendi dhe Qeveria synojnë të ruajnë balancën mes reformave të nevojshme dhe përfshirjes së shoqërisë civile.









