Foto: Komuna e Tuzit/Facebook/
Kuvendi i Komunës së Tuzit ka shqyrtuar sot rebalancin e buxhetit për vitin 2026, si dhe disa vendime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të komunës.
Në fokus ishte propozimi për dhënien me qira të një prone në zonën e Omërbozhajve, ku kompania “Epur AI” synon të ndërtojë një kampus të inteligjencës artificiale dhe një qendër për ruajtjen e përpunimin e të dhënave, me investim të parashikuar prej rreth 1,3 miliardë eurosh.
Sipas kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, projekti do të realizohej në tri faza brenda katër vitesh dhe do të mundësonte krijimin e rreth 1.000 vendeve të reja të punës. Nga dhënia me qira e pronës, Komuna pret të sigurojë të ardhura vjetore prej rreth 1,8 milionë eurosh.
Në seancën e 18-të të rregullt, ku ishin të pranishëm 20 këshilltarë, u prezantua edhe propozimi për rebalancin e buxhetit të vitit 2026, i cili parashikon një buxhet prej 14 milionë e 926 mijë e 500 eurosh, ose rreth 15,75 për qind më shumë se plani fillestar. Rreth 5,5 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.
Kryetari Gjelaj vlerësoi se projektet zhvillimore po realizohen në të gjitha bashkësitë lokale të Malësisë dhe theksoi se investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Këshilltarët shqyrtuan gjithashtu propozimin për ndarjen e ndihmës financiare prej 100 eurosh për çdo nxënës të klasës së parë që ndjek mësimin në territorin e Tuzit, si dhe blerjen e tri parcelave nga kompania “13 Korriku – Plantacionet”, me sipërfaqe të përgjithshme prej 25.412 metrash katrorë dhe vlerë prej 1 milion e 417 mijë e 500 eurosh. Blerja synon zgjidhjen e çështjeve pronësore në tokën ku është ndërtuar stadiumi i klubit të futbollit “Deçiq”.
Në rendin e ditës ishin edhe kontrata pesëvjeçare ndërmjet Komunës dhe SHPK-së “Komunale”, për mirëmbajtjen e hapësirave publike, rrugëve lokale dhe ndriçimit publik, si dhe për menaxhimin e mbeturinave.
Po ashtu, u prezantuan edhe ndryshimet në programin vjetor të ndërmarrjes, me synim përmirësimin e shërbimeve komunale.
Në fund, Këshilli për Zgjedhje dhe Emërime propozoi përbërjen e jurisë për ndarjen e çmimit komunal “15 Dhjetori”, me Fikret Lulanaj si kryetar dhe Nikolina Lucaj, Lindita Gjonaj, Senad Padoviq dhe Mevludin Dizdareviq si anëtarë të këtij Këshilli.









