VANDALIZMI NË PROTESTA, BIZNESET NË ALARM PËR SIGURINË E EKONOMISË

Nëntë shoqata biznesi në Shqipëri kanë dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës gjatë protestave në kryeqytet, duke kërkuar nga policia masa për mbrojtjen e institucioneve, sipërmarrjeve private dhe aktivitetit ekonomik.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, theksoi se e drejta për protestë paqësore duhet respektuar, por dhuna, zjarrvënia dhe vandalizmi nuk mund të justifikohen nga asnjë kauzë politike.

Edhe shoqata „Biznes Albania“ kërkoi që përgjegjësit për dëmtimin e pronës publike dhe private të dalin para drejtësisë.

Ndërkohë, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm mbajti një qëndrim tjetër, duke u bërë thirrje sipërmarrjeve të solidarizohen me protestuesit, t’i mbështesin ata dhe të mbyllin përkohësisht bizneset gjatë zhvillimit të protestave.

Debati mes shoqatave vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të pronës, ndërsa thirrjet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike po shtohen.

SHARE