Lidhur me interpretimet mediatike që vendimin e shkallës së parë dhe deklaratën e liderit të Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, e krahasojnë me aktgjykimin e formës së prerë ndaj Ratko Mlladiqit dhe glorifikimin e një krimineli të dënuar lufte, anëtari i kryesisë së Forumit Shqiptar, Lindon Gjelaj, tha se një krahasim i tillë e anashkalon dallimin mes vendimit të shkallës së parë dhe atij të formës së prerë, si dhe të drejtën për ankesë. “Dikë nuk mund ta paraqisni, bazuar në një vendim të shkallës së parë, si kriminel lufte të dënuar me vendim të formës së prerë. Kjo është juridikisht e paqëndrueshme, demokratikisht e papranueshme dhe në kundërshtim me të drejtën për ankesë”, tha Gjelaj. Ai shtoi se nuk mund të barazohet një vendim i formës së prerë ndaj Ratko Mlladiqit me një vendim të shkallës së parë në këtë rast. “Përgjegjësia penale e Mlladiqit është përcaktuar përfundimisht me vendim të formës së prerë, ndërsa këtu procedura e ankesës sapo pritet të zhvillohet. Respektimi i drejtësisë ndërkombëtare nënkupton respektimin e të gjitha fazave të saj, përfshirë të drejtën për ankesë dhe mundësinë që vendimi i shkallës së parë të konfirmohet, ndryshohet ose shfuqizohet”, theksoi Gjelaj. Duke iu referuar rastit të Ante Gotovina, i cili pas dënimit në shkallë të parë u shpall përfundimisht i pafajshëm, Gjelaj tha se ky është shembulli më i qartë se vendimet e shkallës së parë dhe ato të formës së prerë nuk duhet të barazohen. “Pak më pak entuziazëm dhe pak më shumë durim juridik. Të presim vendimin e shkallës së dytë, sepse paragjykimet nuk janë argument juridik”, deklaroi Gjelaj.




