FORUMI SHQIPTAR DO TË KËRKOJË NGA SPAJIQI PLOTËSIMIN E KËRKESAVE PËR SHQIPTARËT NË MAL TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Forumi Shqiptar do t’i kërkojë kryeministrit Millojko Spajiq plotësimin e një sërë kërkesash që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.

Nëse kërkesat nuk realizohen brenda afateve të përcaktuara, Kryesia e FSH-së do të vendosë për hapat e mëtejshëm, është konfirmuar për Televizionin Vijesti.

Kreu i Forumit Shqiptar, njëherësh zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha se Kryesia e këtij subjekti politik ka miratuar një përfundim me të cilin e ka ngarkuar atë që ta njoftojë Spajiqin për kërkesat dhe të propozojë afate konkrete për realizimin e tyre.

Gjeloshaj tha se shkresa ende nuk i është dërguar zyrtarisht kryeministrit, ndaj nuk dëshiron të paragjykojë vendimet e mëtejshme të Forumit Shqiptar.

Ai shtoi se, pasi dokumenti të harmonizohet dhe t’i dorëzohet Spajiqit, opinioni publik do të njoftohet me kohë.

Forumi Shqiptar do t’i kërkojë Spajiqit që Ulqini të marrë statusin e qytetit, si dhe shkarkimin e drejtoreshës së sapoemëruar të Shkollës së Mesme të Përzier në Ulqin, Snezhana Zhivanoviq, për të cilën Gjeloshaj pretendon se nuk e di gjuhën shqipe, ndonëse kjo është një nga kushtet për ushtrimin e detyrës së drejtorit në shkollat e mjediseve pakicë.

Kërkesat përfshijnë gjithashtu kthimin e menaxhimit të të mirave detare te komunat bregdetare, realizimin e projekteve kapitale në zonat e banuara nga pakicat, përfaqësim autentik politik të shqiptarëve, përdorim të lirë të simboleve kombëtare dhe gjuhës shqipe, përfaqësim proporcional të shqiptarëve në institucione, ndarjen e pasurisë ndërmjet Tuzit dhe Podgoricës, si dhe përmirësimin e pikave kufitare.

SHARE