Foto: TV BOIN
Nxënësit e Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz kanë protestuar këtë mëngjes në ambientet e shkollës, në shenjë mbështetjeje për profesorin e historisë, Mark Junçaj, duke kërkuar drejtësi, respektimin e të drejtave të mësimdhënësve dhe përgjegjësi për situatën e krijuar në institucionin arsimor.
Protesta është zhvilluar pas vendimit që profesori Junçaj të mos vazhdojë punën në këtë shkollë.
Sipas deklarimeve të mëparshme të profesor Junçajt, më 4 shtator drejtori i shkollës, Sehad Lulanaj, i ka kërkuar të nënshkruajë vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, gjë të cilën Junçaj ka refuzuar ta bëjë.
Nxënësit kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për profesorin, duke kërkuar rikthimin e tij në vendin e punës, ndërsa një nga kërkesat e tyre ka qenë edhe dorëheqja e drejtorit të shkollës.
Ata kanë bërë të ditur se përmes protestës synojnë të shprehin pakënaqësinë ndaj situatës së krijuar dhe të kërkojnë trajtim të drejtë për profesorin Junçaj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të mësimdhënësve.
Nxënësit paralajmërojnë se protesta e sotme nuk do të jetë e fundit, duke bërë thirrje për zgjidhjen e situatës dhe për krijimin e një klime më të drejtë dhe më të sigurt në shkollë. Ata kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse.









