Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani është “shkatërruar”, ndërsa ka paralajmëruar se Uashingtoni së shpejti do të ketë kontroll të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Gjatë një interviste, Trump ka thënë se Irani ende disponon disa raketa dhe dronë, por sipas tij kapaciteti i prodhimit të tyre është i kufizuar.
“Ne e kemi shkatërruar Iranin”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara kontrollojnë në thelb Ngushticën e Hormuzit dhe së shpejti do ta kenë kontrollin e plotë”.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në kohën kur Uashingtoni ka hapur edhe një front ekonomik kundër Teheranit, të cilin administrata amerikane e ka quajtur “Dita D – ekonomike”.
Trump ka paralajmëruar masa të reja dhe të ashpra ekonomike kundër Iranit, duke kërcënuar me pasoja edhe vendet që vazhdojnë ta mbështesin Teheranin. Sipas raportimeve, paketa e masave mund të përfshijë edhe konfiskimin e aseteve iraniane.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan, duke i cilësuar ato si një tjetër përpjekje të pasuksesshme.









