SHBA-ja RITHEKSON THIRRJEN PËR FORMIMIN E INSTITUCIONEVE NË KOSOVË

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

SHARE