Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka marrë pjesë në audiencën e përgjithshme të Papa Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku më pas ka zhvilluar edhe një takim të shkurtër me kreun e Kishës Katolike.
Gjatë këtij takimi, Camaj i dorëzoi Papës një ftesë zyrtare në emër të Kuvendit të Malit të Zi për një vizitë në vend, duke theksuar se kjo do të ishte vizita e parë e një pape në Mal të Zi. Në takim u shkëmbyen edhe dhurata protokollare.
Në vijim të vizitës, Camaj u takua me zëvendëssekretarin për marrëdhënie me shtetet të Selisë së Shenjtë, monsinjor Mihaica Bllazh, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Vatikanit.
Të dyja palët vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të mira dhe miqësore, të bazuara në dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim.
Po ashtu, u theksua rëndësia e disa përvjetorëve të rëndësishëm këtë vit, përfshirë 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore mes Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë, 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe 140 vjet nga marrëveshja historike mes Principatës së Malit të Zi dhe Vatikanit.
Në bisedë u vlerësua se këto data historike dëshmojnë lidhjet e thella mes dy palëve dhe hapin mundësi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, përfshirë projektin për Nunciaturën Apostolike në Podgoricë.
Po ashtu, u diskutua edhe procesi i integrimit evropian të Malit të Zi, ku u riafirmua përkushtimi i vendit ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe vlerave të tij themelore si dialogu, sundimi i ligjit dhe respekti i ndërsjellë.
Në fund, u shpreh gatishmëria e të dyja palëve për vazhdimin e bashkëpunimit në frymën e miqësisë dhe mirëkuptimit.









