Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, gjatë fjalimit të saj para deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, deklaroi se Mali i Zi po bëhet gjithnjë e më i fortë, më i zhvilluar, më i sigurt dhe më i përgatitur për Bashkimin Evropian.
Ajo shprehu pritjen që Mali i Zi të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së.
Metsola theksoi se Evropa do të përfitojë shumë nga anëtarësimi i Malit të Zi, duke vlerësuar kulturën, forcën dhe vlerat e vendit si kontribute të rëndësishme për Bashkimin Evropian.
Ajo shtoi se Mali i Zi ka punuar shumë për t’u bërë një aktor i rëndësishëm në kuadër evropian.
Ajo rikujtoi se Mali i Zi tashmë është anëtar i NATO-s dhe po harmonizon politikat e tij të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së.
Po ashtu, përmendi edhe nisjen e diskutimeve për heqjen e roaming-ut si një sinjal pozitiv për rajonin.
Sipas saj, në Bashkimin Evropian të gjithë janë të barabartë dhe Mali i Zi ka nevojë për zërin e tij brenda Unionit.
Metsola theksoi se është e mundur të jesh njëkohësisht qytetar i mirë i Malit të Zi dhe evropian i përkushtuar.
Në fund, ajo u shpreh optimiste se herën tjetër që do t’i drejtohet Kuvendit, do të jetë për të festuar anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke përfunduar me mesazhin: “Rroftë Mali i Zi, rroftë Evropa.”









