KE: DIALOGU MES PUSHTETIT DHE OPOZITËS NË MAL TË ZI ËSHTË VENDIMTAR PËR REFORMAT DHE RRUGËN DREJT BE-së

Foto: kallxo.com

Komisioni Evropian (KE) ka përshëndetur ndërmjetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi për rifillimin e dialogut mes shumicës qeverisëse dhe opozitës.

Sipas KE-së, ky dialog është shumë i rëndësishëm për arritjen e konsensusit parlamentar që nevojitet për reformat kyçe, përfshirë ndryshimet kushtetuese, përparimin në kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe emërimet e rëndësishme në poste të larta, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që ende janë në proces.

Komisioni thekson se inkurajon të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi që të punojnë me mirëbesim dhe të gjejnë zgjidhje të bazuara në marrëveshje të përbashkët, në kuadër të detyrimeve të procesit të anëtarësimit në BE.

Gjithashtu, KE paralajmëron se çdo vonesë në reformat kryesore mund të dobësojë përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë fazë, sipas tyre, mbështetja e shoqërisë dhe uniteti politik janë më të rëndësishme se kurrë.

Në fund, Komisioni Evropian sqaroi se Delegacioni i BE-së nuk ka marrë pjesë në hartimin e platformës së opozitës.

SHARE