GORÇEVIQ: GJATË MANDATIT TË KËSAJ QEVERIE, MALI I ZI KA TËRHEQUR SHUMËN REKORD TË MJETEVE NGA FONDET E BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se Mali i Zi gjatë tre viteve të fundit ka arritur rezultatet më të mira në shfrytëzimin e fondeve të Bashkimi Evropian që nga fillimi i procesit të integrimeve evropiane.

Vetëm gjatë vitit 2025, Mali i Zi ka tërhequr mbi 245 milionë euro nga fondet evropiane, më shumë sesa në periudhën katërvjeçare 2016–2019.

Sipas Gorçeviq, që nga viti 2023 është bërë një përparim i madh në tërheqjen e fondeve, ndërsa për herë të parë shuma vjetore ka tejkaluar 100 milionë euro.

Ajo theksoi se këto rezultate tregojnë se reformat evropiane po japin efekte konkrete dhe se shteti tani ka kapacitete më të mëdha për përgatitjen dhe realizimin e projekteve evropiane.

Ajo shtoi se Ministria e Çështjeve Evropiane, në bashkëpunim me institucionet tjera qeveritare, ka punuar intensivisht në forcimin e koordinimit dhe përmirësimin e kapaciteteve për përdorimin e fondeve të disponueshme, gjë që ka kontribuar në rezultatet rekord.

Sipas saj, qindra milionë euro po investohen në ndërtimin e shkollave dhe çerdheve, modernizimin e rrugëve dhe infrastrukturës së transportit, energjetikë, digjitalizim, mbrojtje të mjedisit dhe zhvillim të komuniteteve lokale në të gjithë Malin e Zi.

Fondet përfshijnë instrumentet kryesore të mbështetjes financiare të BE-së, si fondet IPA, Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën e Reformave, fondet e së cilës janë bërë të disponueshme për Malin e Zi nga viti 2025.

Gorçeviq vlerësoi se vendimet e guximshme të Qeverisë kanë bërë që Mali i Zi të njihet si shteti më i avancuar në procesin e integrimeve evropiane.

Ajo theksoi se synimi është që deri në vitin 2028 Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian dhe të jetë i gatshëm të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që sjell anëtarësimi.

SHARE