KËRCËNIMET PËR BOMBA NË SHKOLLA DHE NË AEROPORTIN E PODGORICËS REZULTUAN TË RREME

Foto: Ilustrim

Kërcënimet për bomba në shkollat në Mal të Zi dhe në Aeroportin e Podgoricës kanë rezultuar të rreme, pas verifikimeve të Policisë, është bërë e ditur për Portalin RTMZ.

Për shkak të këtyre kërcënimeve, në mëngjes u evakuuan një numër i madh shkollash fillore në disa qytete të Malit të Zi, ndërsa mesazhet kërcënuese kishin mbërritur në adresat e disa institucioneve arsimore dhe shtetërore.

Në Malësi, si pasojë e alarmit, mësimi në ndërrimin e parë nuk u zhvillua, ndërsa ndërrimi i dytë ka vijuar procesin mësimor sipas orarit të paraparë.

Autoritetet policore kanë bërë kontrolle në objektet shkollore dhe kanë konfirmuar se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Gjithashtu, edhe kërcënime për bombë në Aeroportin e Podgoricës është vlerësuar si i pavërtetë, ndërsa fluturimet kanë vijuar me masa të shtuara sigurie, gjë që ka shkaktuar disa vonesa.

Policia ka njoftuar se, pas këtyre kërcënimeve të rreme për bomba, do të shtojë masat e sigurisë në shkolla në mbarë vendin.

Sipas tyre, zyrtarët policorë, në bashkëpunim me agjencitë e sigurimit, do të kryejnë kontrolle parandaluese në objektet shkollore çdo ditë, të paktën një orë para fillimit të mësimit dhe deri në fund të vitit shkollor.

Qëllimi i këtyre masave është parandalimi i veprimeve të ashtuquajtura “hibride” nga individë apo grupe të interesit, të cilat synojnë të krijojnë panik në publik, të rrisin ndjenjën e pasigurisë dhe të dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucione.

Policia thekson se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të koordinuar për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

SHARE