Është shpallur tenderi për ndërtimin e rrugës Tuz–Mataguzh, me vlerë totale 4,3 milionë euro, me ç’rast, sipas Ministrisë së Punëve Publike, fillon realizimi i një prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore për komunën e Tuzit.
Ky projekt është rezultat i punës së përbashkët dhe të koordinuar të Ministrisë së Punëve Publike, të udhëhequr nga ministrja Majda Axhoviq, dhe Komunës së Tuzit.
Rruga Tuz–Mataguzh ka rëndësi të shumëfishtë, pasi përmirëson lidhjet e trafikut, rrit cilësinë e jetës së qytetarëve dhe hap mundësi shtesë për zhvillimin ekonomik të këtij territori, i cili ka pritur gjatë një investim të tillë. Veçanërisht theksohen edhe disa projekte të tjera të rëndësishme që janë në përgatitje për komunën e Tuzit: ndërtimi i sallave sportive në Dinoshë dhe Sukruq, rikonstruksioni i Shtëpisë së Kulturës në Sukruq, si dhe rikonstruksioni i rrugës Tuz–Milesh–Dinoshë.
Gjithashtu, është në proces përgatitja e dokumentacionit për shpalljen e tenderit për ndërtimin e një qendre moderne sportive në qendër të Tuzit, e cila do të krijojë kushte për zhvillimin e përmbajtjeve sportive dhe rekreative në nivel të lartë.
Nga Ministria e Punëve Publike u bë e ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen për zhvillimin e komunës së Tuzit dhe të gjithë Malit të Zi, duke theksuar se vetëm përmes partneritetit dhe koordinimit mund të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm dhe i barabartë.










