ANIJET NISIN TË LUNDROJNË PËRMES NGUSHTICËS SË HORMUZIT

Armëpushimi i brishtë si duket po respektohet disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani u pajtuan për të, teksa anijet po lëvizin përmes Ngushticës së Hormuzit dhe bombardimet janë ndalur për herë të parë në më shumë se një muaj.

Udhëheqësit nga e mbarë bota – përfshirë edhe tregjet financiare dhe të energjisë – më 8 prill mirëpritën armëpushimin, teksa shpresojnë se ai do të çojë në një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndonëse ka pasur disa raportime për sulme ajrore të kryera nga Izraeli dhe Irani.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara më ka thënë mua, dhe i ka thënë të gjithë ekipit negociator – sekretarit të Shtetit, Marco Rubion, dhe të dërguarit të posaçëm, Steve Witkoff – ‘Shkoni dhe punoni me mirëbesim për të arritur një marrëveshje’”, tha nënpresidenti amerikan, JD Vance, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Budapest.

“Ai nuk ka durim. Është i paduruar për të bërë përparim. Na ka thënë të negociojmë me mirëbesim dhe mendoj se nëse ata negociojnë me mirëbesim, do të jemi në gjendje të gjejmë një marrëveshje. Por, kjo është një ‘nëse’ e madhe dhe, në fund varet nga iranianët se si do të negociojnë. Shpresoj që të marrin vendimin e duhur”, shtoi Vance.

SHARE