Foto: Tv Boin
Seanca e XVI e Kuvendit të Komunës së Tuzit u mbajt sot me fillim në ora 11:00. Në këtë seancë u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës, ndërsa pika 4 „Propozimi i programit të objekteve të përkohshme të komunës së Tuzit për vitin 2026 – 2031“, dhe pika 6 „Propozimi i vendimit mbi kompensimin për rehabilitim urban“, u tërhoqën, pasi nga agjencioni përkatës është kërkuar plotësimi i dokumentacionit.
Rendi i ditës përfshiu këto pika të cilat të gjitha u miratuan:
Pika 1: Propozimi i konkludimit mbi miratimin e Raportit të punës së kryetarit, organeve të administratës dhe shërbimeve të Komunës së Tuzit për vitin 2025. Gjatë diskutimit për këtë pikë, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, theksoi se gjatë vitit 2025 janë realizuar investime të shumta në infrastrukturë në pothuajse çdo zonë të Malësisë. Ai veçoi renovimin e QKI “Malësia”, ndërtimin e eko-parkut dhe hapësirave sportive në Dinoshë, si dhe investimet në furnizimin me ujë dhe ndriçimin publik. Sipas tij, komuna ka qenë aktive edhe në projekte të Bashkimit Evropian dhe në menaxhimin e mbetjeve, ndërsa mbështetje është dhënë edhe për bujqësinë, përmes subvencioneve për fermerët, bletarët dhe prodhuesit e qumështit. Investime janë bërë edhe në rini dhe arsim përmes bursave dhe aktiviteteve të ndryshme. Gjelaj theksoi se këto rezultate janë fryt i bashkëpunimit me qytetarët dhe se investimet do të vazhdojnë në infrastrukturë, ekonomi dhe mirëqenie sociale. Pas prezantimit të raportit, u hap diskutimi me këshilltarët për çështje të ndryshme.
Pika 2: Propozim Vendimi mbi verifikimin e vendimit mbi dhënien e pëlqimit në ndryshimet e planit financiar të SHPK Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit, për vitin 2026, u drejtua drejtori i SHPK Adnan Dreshaj në lidhje me linjen 4.1 për nevojat e shfrytëzimit të zyrës së kësaj SHPK.
Pika 3: Propozim Vendimi mbi dhënien e në shfrytëzim të automjeteve transportuese në pronësi të Komunës së Tuzit SHPK „Komunale“.
Pikat 5: Propozimi i Programit për rregullimet hapësinore në Komunën e Tuzit për vitin 2026 dhe Pika 7: Raport mbi gjëndjen e rregullimit hapësinor për komunen e Tuzit për vitin 2025, u sqaruan nga sekretari për urbanizëm, Lekë Ivezaj. Ai theksoi se me ligjin e ri parashihet angazhimi i një agjencioni për hartimin e projekteve planifikuese, ndërsa mbetet të vlerësohet mundësia e bashkëpunimit me komuna të tjera apo agjension të tyre. Mjetet financiare do të sigurohen nga buxheti i komunës, por edhe nga donacionet e ministrive, qeverisë etj. Ndër projektet kryesore u përmendën hartimi i projekteve për aksin nga deponia në Omerbozhaj deri në Dinoshë, zonat Dushiq dhe Dheu i Zi, rruga Vuksanlekaj – Nënhelm, si dhe projekte të tjera që do të realizohen sipas standardeve për të qenë të gatshme për fondet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, projekti i sallës sportive në shkollën e Dinoshës është në fazë rishikimi, ndërsa janë planifikuar edhe projekte si ndërtimi i qendrës rinore në Tuz dhe qendrës sportive në Sukruq. Për përmirësimin e infrastrukturës në bashkësitë lokale janë paraparë rreth 1 milion e 500 mijë euro, bazuar në kërkesat e tyre.
Pika 8: Propozim Vendimi mbi ndryshimet dhe plotesimin në statusin e komunës së Tuzit.
Pika 9: Propozim Konkludimi mbi miratimin e Raportit të punës së IP QKI Malësia për vitin 2025.
Pika 10/11 lidhur me IP QKI “Malësia”, u bë përfundimi i mandatit të këshillit të deritanishëm dhe emërimi i këshillit të ri.
Në këtë kuadër, Gjergj Camaj iu drejta të pranishmëve në lidhje me përbërje e re: Mark Lucgjonaj – Kryetar; Anëtarë: Xhevdet Gjokoviq, Leka Dedvukaj, Arlinda Dushaj dhe Samir Beqaj.
Gjatë seancës janë shtuar edhe pesë pika të tjera, të cilat janë miratuar nga këshilltarët:
- Propozim konkludimi mbi gjendjen e pronës së Komunës së Tuzit për vitin 2025;
- Propozim vendimi për ndryshimin e interesit publik për shpronësim në Tuz dhe Vrane për ndërtimin e rrugës Tuz–Mataguzh;
- Propozim vendimi mbi dhënien e pëlqimit për vendimin e Bordit drejtues të SHPK “Komunale” dhe emërimin e drejtorit ekzekutiv, Albian Sinishtaj;
- Propozim vendimi për ndryshimin e programit dhe planit financiar të IP QKI “Malësia” për vitin 2026;
- Propozim konkludimi për lirimin nga tatimi i pronës për tokat bujqësore për vitin 2026.
Në lidhje me pikën e katërt të shtuar, Samir Beqaj sqaroi se mjetet janë rishpërndarë për investime kapitale për shkak të punimeve në objekt. Sa i përket kësaj pike, u sqarua se ndryshimet janë bërë për shkak të rrethanave të krijuara, duke përfshirë rishpërndarjen e mjeteve buxhetore. Po ashtu, u theksua se gjatë tremujorit të parë aktivitetet artistike nuk janë realizuar për shkak të punimeve, ndërsa mjetet janë orientuar në investime kapitale, si rregullimi i oborrit, sistemi i ujitjes dhe rrethimi i objektit. Gjithashtu, u paralajmërua organizimi i aktivitetit të parë pas renovimeve me rastin e 6 prillit.










