Nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kanë dhënë sot betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë ceremonisë së betimit, presidentja u uroi suksese anëtarëve të rinj në ushtrimin e detyrës së tyre, duke theksuar rëndësinë e sistemit zgjedhor në forcimin e demokracisë në vend.
Ajo vlerësoi se sistemi zgjedhor në Kosovë ka luajtur gjithmonë rol të rëndësishëm në garantimin e proceseve demokratike dhe në përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve.
Ndërkohë, anëtarët e rinj të KQZ-së u zotuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri, besnikëri dhe paanësi, duke u angazhuar për një punë profesionale dhe të ndërgjegjshme në shërbim të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.








